1 e Korintasve 5

1Kudo dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që nuk e gjen as ndër paganë. Njëri nga ju ka marrë gruan e të atit 2e ju më krekoseni. A nuk do të ishte më mirë të vajtonit, që të shporret nga ju ai që ka bërë një vepër të tillë? 3Megjithëse unë nuk jam aty me trup, jam aty me shpirt dhe tashmë e kam gjykuar atë që e ka bërë këtë gjë, si të isha aty. 4Kur të mblidheni në emër të Zotit tonë Jezu do të jem edhe unë shpirtërisht me ju dhe atëherë me fuqinë e Zotit tonë Jezu 5dorëzojani atë njeri Satanit për t’i shkatërruar trupin, që t’i shpëtojë shpirti Ditën e Zotit. 6Nuk është mirë të mburreni! A nuk e dini se pak tharm mbrun gjithë brumin? 7Pastrohuni nga tharmi i vjetër, që të bëheni brumë i ri, ashtu siç jeni pa tharm, sepse Krishti, Pashka jonë, është flijuar. 8Të mos kremtojmë me tharmin e vjetër, me tharmin e së keqes dhe të ligësisë, por me bukët e pambrujtura të pastërtisë dhe të së vërtetës. 9Në letër ju shkrova që të mos përziheni me kurvarë. 10Nuk bëhet fjalë për të gjithë kurvarët e kësaj bote, as për lakmitarët, zhvatësit apo idhujtarët, sepse do të duhej të iknit nga bota, 11por tani po ju shkruaj që të mos përziheni me ndonjë që e quan veten besimtar, por është kurvar, lakmitar, idhujtar, shpifës, pijanec, apo zhvatës. Mos hani me të! 12Ç’punë kam unë të gjykoj ata që janë jashtë kishës? A nuk i gjykoni ju ata që janë brenda saj? 13Ata që janë jashtë kishës i gjykon Perëndia. «Zhdukeni ligësinë nga mesi juaj!»

will be added

X\